Organizohet Panairi i tretë i kompanive në Saraj

Fondacioni për zhvillimin e arsimit dhe kulturës Albiz sot, 22 dhjetor, e organizoi për herë të tretë  “Panairin e bizneseve të Komunës së Sarajit”, i cili u mbajt në hapësirat e restorantit Korabi në Saraj.

Fjalë përshëndetëse mbajti z. Ibraim Seferi, kryetar i Këshillit të donatorëve të Fondaconit Albiz. Ai mes tjerash tha se “Prodhimet dhe shërbimet e tyre na bëjnë krenarë me cilësinë e lartë. Kompanitë të cilat sot janë prezent, përfaqësojnë brende të ndryshme dhe mbi 10 mijë prodhime, e cila është ofertë shumë e mirë që u ofrohet të gjithë konsumatorëve në Maqedoni. Prandaj edhe duhet ta theksojmë se vendi nuk mund të arrijë integrim politik në BE, pa integrim ekonomik dhe këtë integrim ekonomik duhet vërtetë ta marrin në dorë bizneset, të cilat janë shtylla e përshpejtimit të këtyre proceseve. Kompanitë e Komunës së Sarajit janë pjesë e zhvillimit ekonomik të vendit.”.

Në kuadër të Panairit të bizneseve, u organizua forumi me temë “Sfidat dhe mundësitë për bizneset për vitin 2019”. Në forum si panelistë morën pjesë z. Kreshnik Bekteshi, ministër i Ekonomisë, Blerim Bexheti, kryetar i Komunës së Sarajit dhe z. Nebi Hoxha, kryetar i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore.

Këtë vit në panair morën pjesë rreth 40 kompani, të cilat i promovuan prodhimet dhe shërbimet e tyre. Gjatë panairit u promovua edhe Katalogu i bizneseve të Komunës së Sarajit. Në katalog janë përfshirë të dhënat për rreth 400 kompani, ku mund të gjenden informata për veprimtarinë, numrin e të punësuarve, qarkullimin vjetor, neto fitimin, kontaktet etj.

Panairin e vizituan qindra qytetarë të Komunës së Sarajit, si dhe më gjerë.